Manastirliu: Pika kontakti në të gjitha spitalet Covid

Për të përmirësuar gjendjen psikologjike të pacienteve me Covid, por edhe për t’i dhënë zgjidhje kërkesës së familjarëve të tyre për t’u informuam mbi gjendjen shëndetësore të të afërmve, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të krijojë një linjë të posaçme komunikimi pranë çdo spitali Covid. Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se krahas komunikimit me mjekun, familjarët dhe të shtruarit do kenë mundësi të komunikojnë edhe nëpërmjet disa tabletave të vendosura pranë spitaleve Covid.

“E mirëkuptoj që ju doni të komunikoni. QSUT ka vendosur një rregullore dhe ne këtë mekanizëm jemi duke përmirësuar, qoftë nëpërmjet administratorit të spitalit, qoftë nëpërmjet koordinatorëve me pacientin, qoftë nëpërmjet psikologëve, të cilët janë aty dhe do shërbejnë gjithashtu dhe për të bërë lidhjet direkte nëpërmjet tabletave që ne kemi vënë në dispozicion, pikërisht për të përmirësuar komunikimin. Kjo është një mënyrë e lehtë dhe shumë më e shpejtë për të komunikuar edhe për të t’i vendosur në kontakt familjarët me pacientët dhe patjetër që edhe ju qetësoheni. Tabletat do të shpërndahen në të gjithë spitalet Covid”, tha Manastirliu.

Shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo, iu bëri thirrje qytetarëve që kurat për kurimin e Covid, t’i marrin vetëm nga mjekët

“Ju keni një hall të madh dhe ju mirëkuptojmë. Por jo çdo njeri që shikoni në rrugë do e kapni për të marrë informacion sepse do të merrni informacione të gabuara. Informacionin e saktë e merrni vetëm nga mjeku kurues” u përgjigj shefja e spitalit infektiv. Sipas rregullave të vendosura, familjarët mund të dërgojnë sendet personale të të afërmeve apo të marrin informacion në oraret 9-11 paradite dhe 16-17 pasdite në pikën e informacionit të caktuar pranë spitalit infektiv.

Tv Klan