Lobon në Kongres, DASH e Departamentin e Inteligjencës

Gjashtë muaj pasi Shkalla e Parë e Gjykatës së Krimeve të Rënda e shpalli fajtor me 3 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka angazhuar një kompani të huaj për të lobuar për llogari të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Stone Strategic Solution” me seli në Bukuresht të Rumanisë, e ka regjistruar këtë angazhim në Departamentin  Drejtësisë Amerikane.

20 mijë Euro do të duhet të paguajë ish-ministri Tahiri në adresë të kësaj kompanie që ka marrë përsipër lobimin për ta ndihmuar atë në komunikimet me anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Departamentin e Shtetit, atë të Drejtësisë dhe Komunitetin e Inteligjencës në lidhje me largimin e tij nga qeveria dhe çështje që kanë të bëjnë me betejën ligjore që vijon në Shqipëri.

Sipas dokumentacionit të regjistruar në FARA, pjesë e lobimit janë edhe fushatat e keqinformimit dhe pretendimet e rreme në media, që në shënjestër kanë ish-ministrin e Brendshëm.

Kontrata e regjistruar më 16 Janar të këtij viti, është e vlefshme për tre muaj, me mundësi zgjatjeje.

Kjo lëvizje e Tahirit vjen në një kohë kur ai vijon betejën me drejtësinë. Më 3 Tetor, Tahiri ankimoi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda që e shpalli fajtor për shpërdorim detyre.

Ai u dënua më 19 Shtator me 3 vjet shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa gjykata rrëzoi akuzat e tjera të ngritura nga Prokuroria qe e lidhin me grupin e Habilajve të Vlorës, ato për trafik ndërkombëtar të drogës, pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal dhe veprime të kryera në kuadër të këtij grupi.

Tv Klan