doshi-tahiri

Tom Doshi – Deputet i PS: “Do t’i bëj me dije Edi Ramës që qysh sot e tutje mes meje e tij s’ka paqe më dhe do ta shohim se kush është i humbur në këtë luftë.”

Pas kësaj deklarate të fortë të Deputetit të Partisë Socialiste, Tom Doshi, kanë qenë të shumta takimet e tij me përfaqësues të mazhorancës në përpjekje për të ulur tonet në gjirin e së majtës. Takimi më i fundit ka qenë ai mes të zgjedhurit socialist të Shkodërs dhe Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ata janë parë sëbashku në ambientet e një hoteli të njohur në qendër të Tiranës ndërsa dëshmitarët e kanë përshkruar këtë takim, gati 50 minutësh, të zhvilluar me tone të larta nga fillimi deri në fund. Kjo për shkak të përplasjeve edhe të mëparshme mes të dyve. Ai që duhet të ishte një takim sqarues, sipas dëshmitarëve duket se nuk ka ulur tonet e palëve.

Deputeti Tom Doshi ka qenë një kritik i vazhdueshëm i punës së Ministrit Tahiri. Në Korrik të vitit të kaluar ai rreshtoi një sërë vërejtjesh ndaj tij.

Ndryshimet në ligjin për Policinë dhe votimi i tyre në parlament u duk sikur i sheshoi këto përplasje, por rasti më fundit i ka sjellë ato në vëmendje. Pas akuzave të Doshit përpara Parlamentit, ishte i fortë edhe qëndrimi i Ministrit të Brendshëm në studion e emisionit “Opionion”  në Televizionin Klan.

Gjithçka nisi në mbledhjen e Grupit Parlamentar të javës së kaluar, ku Deputeti Doshi kërkoi nga Kryetari i Grupit, Gramoz Ruçi, shpjegime për negociatat me LSI-në për përzgjedhjen e kandidatëve të së majtës në zgjedhjet lokale. Ai shkoi edhe më tej duke hedhur kritika ndaj ministrave.

Për këtë çështje pritet të zhvillohet një mbledhje tjetër e Grupit Parlamentar ditën e henë, ku do të jenë të pranishëm Kryeministri Rama dhe socialisti Doshi, nga përfundimi i së cilës do të mësohet edhe e ardhmja e Doshit në Grupin më të madh të deputeteve në parlament.

Tv Klan