Sulmi i fundit i Rusisë ndaj anijeve të flotës detare ukrainase me shumë gjasë do të jetë në krye të rendit të ditës të takimit të NATO-s që mbahet këtë javë. Aleanca kërkon një reagim të fuqishëm pas veprimit armiqësor të Kremlinit në kufijtë e Evropës. Takimit të ministrave të jashtëm të martën në Bruksel do t’i bashkohet edhe sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo. Pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe kërkesa e SHBA-së për rritjen e shpenzime ushtarake nga ana e aleatëve të NATO-s.

Ukraina po stërvitet për një pushtim nga ana e Rusisë. Autoritetet në Kiev thotë se gjasat e një lufte të përgjithshme me fqinjin e saj janë të mëdha pas sulmit ndaj anijeve të saj luftarake në detin Azov. Ndaj forcat e saj të armatosura po përgatiten për konflikt.

Pjesmarrës në një ceremoni me rastin e blerjeve të pajisjeve të reja ushtarake, presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko u kërkoi aleatëve ndihmë.

“Ky është një kërcënim i madh dhe së bashku me aleatët tanë po kërkojmë një përgjigje të përshtatshme ndaj tij.”

Zoti Poroshenko kërkon që NATO të dërgojë anije luftarake në detin Azov. Aleanca ndodhet nën presion për të ofruar një reagim të fuqishëm në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm, por duket se tani për tani nuk ka gjasa të rrezikojë një përplasje detare.

“I bëjmë thirrje Rusisë t’i sigurojë Ukrainës qasje pa pengesa në porte si dhe lirinë e lundrimit në detin Azov dhe në ngushticën Kerç”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Pas incidentit detar, Presidenti amerikan Donald Trump anuloi një takim të planifikuar me homologun e tij rus Vladimir Putin gjatë takimit të G20-s. Por javën e kaluar në një postim në Twitter zoti Trump shkruante: “për shumë vite Bashkimi Evropian, ka përfituar nga tregtia me ne dhe nuk i ka përmbushur angazhimet ushtarake në kuadër të NATO-s. Gjërat duhet të ndryshojnë shpejt!”

Së bashku me shpenzimet ushtarake, ministrat e jashtëm të NATO-s do të diskutojnë gjithashtu ambicjet e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për t’u integruar në aleancë.

“Mund të kërkojmë të anëtarësohemi dhe po e bëjmë. Ky është drejtimi ynë i vetëm, por në këtë rrugë mund të ndërmarrim hapa shumë më konkretë. Unë synoj që të jem një partner më kërkues ndaj evropianëve sikurse parnerëve të NATO-s”, thotë Salome Zurabishvili, Presidente e zgjedhur e Gjeorgjisë.

Perëndimi po përballet me një situatë komplekse përballë një Kremli gjithnjë e më të paparashikueshëm, thotë analisti rus Nicholas Redman.

“Bëhet fjalë pjesërisht për shfrytëzimin e disa prej kapaciteteve që shtetet perëndimore kanë për të mbrojtur veten. Kjo do të kërkojë qasje të reja. Mendoj gjithashtu se është një situatë që kërkon të vendosen se cilat janë pikat e një dialogu të mundshëm”, thotë Nicholas Redman, i Institutit për Studime Strategjike e Ndërkombëtare.

Ministrat e Jashtëm pritet gjithashtu të diskutojnë mbi operacionin Mbështetja e Qëndrueshme në Afganistan, që ofron trajnime dhe ndihmë për forcat afgane falë angazhimit të rreth 16 mijë personave nga 39 vende anëtare e partnere të NATO-s./VOA