18-vjeçari neutralizohet nga policia

Me maskë e kapuç në kokë dhe me një armë gjahu në dorë, 18-vjeçari Martin Kapllanaj hyri për të grabitur një agjendari pranë shkollës ‘Ismail Qemali’ në Vlorë.

Nën kërcënimin e armës, ai detyroi pronaren e argjendarisë dhe një person tjetër që gjendej në të, të shtriheshin në tokë.

Pasi mbushi një çantë me sende me vlerë që gjendeshin në vitrinë, ai u largua me vrap dhe për të detyruar personat e tjerë që të mos e ndiqnin, ka qëlluar disa herë në ajër.

Të shtënat janë dëgjuar në zonë dhe efektivët e policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes pasi ndodheshin aty pranë, në një KZAZ ku po vijonte procesi i numërimit të votave për kandidatët.

18-vjeçari Martin Kapllanaj u vu në pranga në tentativë për t’u larguar, në lagjen ‘Isa Boletini’. Uniformat blu sekuestruan edhe çantën me florinj e bizhuteri si dhe armën e zjarrit. Blutë e Vlorës kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në zonë për të zbuluar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në grabitje.

Tv Klan