Të shtënat me armë zjarri kanë tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Vlorës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:40, në lagjen “Pavarësia”, në zonën e quajtur “Kali i Trojës”.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se gjithçka ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta midis dy personave. Ata kanë qëlluar në ajër me armë zjarri dhe janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira.

Efektivët e Vlorës thonë se kanë identifikuar të dy personat e përfshirë në konflikt dhe se kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e njërit prej tyre, ndërsa po punohet për kapjen e personit tjetër.

I arrestuari është 30 – vjeçari me iniciale, A.L, ndërsa në kërkim është 28 – vjeçari me inciale K.P. Ky i fundit, sipas policisë është person me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje me armë dhe dhunë, armëmbajtje pa leje, prishje të qetësisë publike, vjedhje, etj.

Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja në tokë. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar.

Aktualisht, grupi hetimor po kryen veprimet hetimore në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes. /tvklan.al