Thatësira dhe temperaturat e larta kanë çuar në pikën kritike ujëmbledhësin e Fierzës, duke bërë që prodhimi nga ky hidrocentral të jetë në kuota minimale. Niveli i kaskadës, sipas Korporatës Elektroenergjeetike është në kuotën e 269 metrave dhe ashtu si në Korrik edhe furnizimi me energji në muajin Gusht do të garantohet nga importi.

Muajin që lamë pas, KESH nuk arriti dot të plotësojë as 1/3 e nevojave për energji nga prodhimi i vendit, duke bërë që OSHEE të shpenzojë miliona euro për blerjen e energjisë.

OSHEE po ndjek të njëjtën praktikë edhe në muajin Gusht, me shpalljen e një tjetër procedure importi për blerjen e 30 mijë megavat/orë energji.

Qeveria autorizoi Korporatën Elektroenergjitke të përdorë fondin 22.4 milion euro të kredisë së Bankës Botërore për Rimëkëmbjen e Sektorit Energjitik, për kryerjen e importeve në raste krizash, por kjo shumë nuk është alokuar ende.

Kritike pritet të jetë situata edhe gjatë Shtatorit ku prurjet e Fierzës do të mbeten në kuota minimale.

Prodhimi i energjisë në Shqipëri është i lidhur ngushte me burimet hidrike që pritet të pakësohen nga viti në vit.

Në draftstrategjinë e Ministrisë së Bujqësisë thuhet se deri në 2050, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e mëdhenj dhe të vegjël në Shqipëri pritet të bjerë me rreth përkatësisht, 15% dhe 20%, për shkak të rënies me 20% të shirave në stinën e verës.

Tv Klan