Franca do të goditet nga një valë e nxehtë gjatë kësaj jave, me temperatura që parashikohen të shkojnë mbi 40 gradë Celsius. Nëse regjistrohen vlera të tilla, do të jenë temperaturat më të larta për muajin Qershor. Ditën e enjte dhe të premte pritet që të kulmojnë në vlerat ekstremale, të paktën 40 gradë Celsius.

Veriu i Francës do të jetë më i prekuri nga kjo valë e të nxehtit, përfshirë edhe Parisin, raporton BBC. Autoritetet franceze kanë marrë masa për të përballuar këto temperatura të larta. Pishinat publike do të qëndrojnë të hapura dhe është hartuar një plan për të shpërndarë ujë në zona të caktuara, duke u ardhur veçanërisht në ndihmë të moshuarve dhe shtresave në nevojë.

Meteorologët thonë se temperaturat 40 gradë Celsius do të ndihen si 47 gradë në kryeqytet. Një valë të tillë nxehtësie Franca e ka përjetuar në Gusht të vitit 2003, kur humbën jetën gati 15 mijë njerëz. Parisi ka aktivizuar nivelin 3, që nënkupton nxehtësi ekstreme. Ekziston edhe niveli 4, që nuk është vendosur kurrë në zbatim. /tvklan.al