Emisioni “STOP” i rikthehet tenderit problematik të lavanterisë në spitalin e Durrësit, që parashikon shpenzimin e 1.5 miliardë lekëve në 3 vjet.

Juristja e prokurimeve “ia kalon topin” kreut të KVO-së, Endrit Shehut, ndërsa ky i fundit mjaftohet të thotë se do të shprehet gjykata. Po kështu drejtoresha e komanduar, Çikalleshi deklaron se do të mbajë përgjegjësi, nëse gjykata e nxjerr procedurën me shkelje.

Spitali i Durrësit, në fillim të vitit 2017 ka kërkuar shërbimin e lavanterisë, pra një kompani private që merret me pastrimin e ndërresave të shtretërve, uniformave të mjekëve dhe infermierëve.

Tenderimi u bë pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, ku morën pjesë 5 operatorë.

Më datë 26 Qershor 2017 u përzgjodh operatori fitues, kompania “Sanitary Cleaning”, e cila përbëhet nga 3 kompani. Shoqëria italiane “A.G.LAUNDRI” SRL mori përsipër të kryejë 60 % të shërbimeve, subjekti “MIMOZA DELIU”, si person fizik, 30% dhe “Sanitary Cleaning” ndërmori 10%.

Por emisioni “STOP” provoi që dokumentet nuk janë dorëzuar në bazë të ligjit të tenderit, pasi shumica e tyre nuk janë origjinale, por fotokopje.  

Subjekti “MIMOZA DELIU” nuk ka kapacitetin e duhur për të zhvilluar shërbimin e lavanterisë, gjithashtu ka probleme në dokumentacionin që ka dorëzuar në OSSHE dhe faturat tatimore. Ndërsa “Sanitary Cleaning” nuk ka dorëzuar kontratën origjinale të qerasë, por një fotokopje të saj.

Prokura e Xhovana Leonardit nga shoqëria “A.G.LAUNDRI” SRL është totalisht në shkelje, pasi procedura është bërë më 24 Qershor 2017, ndërsa pajisja me vulë apostile është bërë më 26 Qershor 2017.

Ndaj gazetari i emisionit “STOP” iu drejtua Presidentit të Dhomës Kombëtare të Noterëve, për të komunikuar me zv. presidentin Fatmir Lace.

“Çdo noter e ka shumë të qartë se edhe Italia është një vend aderues i kësaj konvente, që për të përdorur një dokument të bërë në një shtet të huaj duhet të ketë vulë apostile. Pa këtë vulë kuptohet që nuk duhet të kryhen veprime!”.

Nëndrejtori i spitalit, Endrit Shehu u shpreh se dokumentacioni i nevojshëm për tenderin e zhvilluar gjendet online dhe pranoi që ka qenë kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. I vendosur në pozitë të vështirë para pyetjeve të gazetarit thotë: 

“Në momentin që ai sjell dokumente, të cilat dyshohen se nuk janë origjinale nga ana juaj, atëherë nuk lidhet kontrata”.

Por çuditërisht kontrata është lidhur, ndaj gazetari i emisionit “STOP” është rikthyer pranë administratës së spitalit të Durrësit për të komunikuar sërish me juristen Çikalleshi dhe kreun e KVO-së.

Gazetari – Ju si juriste, si mund të lidhni kontratë me këtë subjekt?

Juristja –

Unë me këtë subjekt kam lidhur kontratë sepse kam nga KVO-ja një raport përmbledhës. Kështu që në momentin që unë kam një raport përmbledhës …

Gazetari – Çfarë thotë konkretisht raporti?

Juristja –

Nuk mund të të them mbi këtë gjë asnjë lloj informacioni, përderisa kjo është një çështje që i ka kaluar gjykatës. Do marri gjykata vendim mbi këtë çështje!

Gazetari – Po pse ta lejmë që në fillim që të bëhet e gjithe procedura gabim?

Juristja – Prandaj është edhe gjykata që ta vlerësojë ajo nëqoftëse janë bërë shkelje nga ana e KVO-së a ku di unë se çfarë ke ti aty.

Ndërsa kreu i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe gjithashtu nëndrejtori i spitalit tha se dokumentet e gjendura online janë ballafaquar me dokumentet e noterizuara, duke rezultuar të njëjtat.

“Lidhur me këtë, meqënëse më the t’i ballafaqoja dokumentet, unë i kam ballafaquar dhe janë të noterizuara. Jo vetëm unë, edhe grupi, se jemi 5 anëtarë në këtë. Unë mendoj që ne kemi bërë punën tonë, aq sa na takon neve dhe janë instancat përkatëse që mund të vazhdojnë punën e vetë, të shohin, ta ballafaqojnë. Ne jemi ballë-hapur për punën tonë të pastër, duke zbatuar ligjin ndërkombëtar!”

Gazetari i emisionit “STOP” i drejtohet drejtoreshës së spitalit Durrës, Viola Çikalleshit.

Drejtoresha Çikalleshi –

Deri në momentin që është në gjykatë, ndoshta mund të ketë edhe nëpër institucione të tjera çështje. Të përfundohet në momentin që ju keni realizuar një emision …

Gazetari – Është referuar në Prokurori ky rast nga ju për shembull?

Drejtoresha Çikalleshi –

Nga ne vetë? Jo! Nuk është referuar, ne … Prokuroria mund ta hapë çështjen edhe me iniciativë nga ju, se besoj, kam dëgjuar raste që e bëjnë këtë gjë dhe shumë mirë do ishte që ta hapte që ne një herë e mirë të marrim vesh, kjo punë është apo nuk është në rregull, edhe të fillojmë shërbimin. Gabimet janë njerëzore. Shpresoj që nuk ka asnjë gabim që kryen vepër penale dhe kaq.

Gazetari – “Sanitary Cleaning” është bashkimi i 3 operatorëve. Thuhet që njëri nga 2 operatorët, ata që janë shqiptarë, kanë një lidhje farefisnore me ju.

Drejtoresha Çikalleshi –

Me kë? Me mua personalisht? Unë nuk njoh asnjë nga 3 operatorët. Përveçse i kam takuar këtu, në momentin që kanë ardhur për të lidhur kontratën.

Gazetari – E kanë lidhur kontratën?

Drejtoresha Çikalleshi –

Po! Kontrata është lidhur se ju keni marrë njoftimin në sistem. Kemi vazhduar me shërbimin, për aq kohë sa nuk u mor ndonjë veprim pengues nga gjykata. Ta zgjidhi gjykata!

Gazetari – Po çështja është në gjykatë…

Drejtoresha Çikalleshi –

Është në gjykatë, por nuk ka nxjerrë asnjë vendim, që të na pengojë vazhdimësinë e procedurës.

Pra kontrata mes spitalit të Durrësit dhe “Sanitary Cleaning”, e përbërë nga 3 shoqëri, është lidhur edhe pse çështja vazhdon të jetë në gjykatë.

/ tvklan.al