Kjo ishte situata gjatë paradites në Tropojë, ku punonjës të Policisë Bashkiake të mbështetur nga qytetarë të shumtë kërkonin lirimin e ambienteve të KZAZ-së.

Prania e forcave të policisë nuk i pengoi që të hyjnë me forcë në pallatin e sportit “Bajram Curri” për të hequr materialet zgjedhore. Debate ta ashpra pati edhe mes zyrtarëve lokalë dhe drejtuesve të policisë. Nga thyerja e xhamave mësohet se ka mbetur një polic i lënduar lehtë, ndërkohë që janë arrestuar 4 persona.

E tensionuar ka qenë edhe në Shkodër situata. Pas përplasjes së një dite më parë, konfrontime janë shënuar sërish në KZAZ-në numër 2 mes Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake.

Punonjës së bashkisë së këtij qyteti dhe efektivë blu janë përplasur verbalisht për disa minuta, pasi këta të fundit kanë tentuar të hyjnë në pallatin e Sportit, i përcaktuar nga KQZ-ja si ambient për vendosjen e bazës materiale në KZAZ-në Nr 2.

Në një dalje për mediat, Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi tha se vendimi për lirimin e ambienteve është në zbatim të shfuqizimit të dekretit të Presidentit për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.

Sakaq, edhe Bashkia Lezhë, përmes një shkrese drejtuar KQZ-së në zbatim të dekretit të Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve në 30 Qershor ka kërkuar nga KZAZ-ja lirimin e ambienteve të shkollës “Besëlidhja”, deri në orën 16:00 të pasdites.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagoi duke thënë se dekreti i Presidentit është nul dhe kushdo që pengon funksionimin e KZAZ-ve do mbajë përgjegjësi.

Tv Klan