Policia ka vënë në pranga pas rreth 2 vitesh R. Meçaj, 50 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim pasi ka tentuar që të vrasë bashkëshorten e tij.

Në Korrik të vitit 2022, ai tentoi të godiste me makinë bashkëshorten e tij. Kjo e fundit ka qenë me urdhër mbrojtjeje.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Durrësit, me vendimin e datës 07.07.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Dhuna në familje”. Në muajin korrik të vitit 2022, ky shtetas ka tentuar të vrasë, duke e goditur me automjet, bashkëshorten e tij, e cila ka qenë me urdhër mbrojtjeje”, njoftoi policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës./tvklan.al