Entuziazëm në dhomën e ulët të parlamentit britanik që tregon se Tereza May mund të marrë frymë lirisht dhe të vazhdojë përpara me marrëveshjen e Brexitit. Kryeministrja i mbijetoi mocionit të mosbesimit të kërkuar nga 48 deputetë të partisë së saj.

Graham Brady, Kryetar i Grupit të Konservatoreve: Numri i votave të atyre që kanë besim tek Tereza May ishte 200 dhe kundër 117.

318 deputetët konservatorë votuan në komisionin e veçantë të kësaj partie në dhomën e ulët. Pavarësisht fitores, votimi tregoi numrin e lartë të kundërshtarëve brenda partisë së saj. Mocioni u kërkua pas shtyrjes së votimit për marrëveshjen tepër të kontestuar që kryeministrja May arriti me Brukselin për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Përpara mocionit, May tha se kishte në plan që të mos rikandidonte më për kryetare të konservatorëve dhe kryeministre në zgjedhjet e radhës të 2022-shit. Ndërsa u shpreh se një lidership i ri është gjëja e fundit për të cilën Britania e Madhe ka nevojë tani.

“Do të ketë pra një votë mosbesimi kundër drejtimit tim në Partinë Konservatore. Do ta kundërshtoj këtë votë me gjithçka kam. Ndryshimi i lidershipit në këtë moment do të vinte në rrezik të ardhmen tonë. Lideri i ri nuk do të kishte kohë të rinegocionte Brexit, pra veprimi i tij i parë do të ishte shtyrja apo shfuqizimin i nenit 50”, tha May.

May bëri përpjekjen e fundit të martën për të bindur liderët europianë të rinegociojnë marrëveshjen për daljen e Britanisë nga Unioni. Momenti i keq që po kalon kryeministrja u vu re edhe gjatë takimit me kancelaren Merkel.

Tv Klan