Frikën e ndërkombëtarëve se ndryshimi i mundshëm i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë do të prodhojë territore etnikisht të pastra, presidenti Hashim Thaçi e ka hedhur poshtë, duke sqaruar se Kosova do të ruajë karakterin multietnik.

“Në çdo rast të arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi ligjërisht obliguese që nënkupton njohjen reciproke, do ta ruajmë frymën e multietnicitetit sepse 2/3 e serbeve jetojnë edhe në jug dhe në hapësira të tjera. Këto mjegulla shpërndaheshin edhe në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të cilat kthjelluan gjithçka pas Pavarësisë së Kosovës.”

Presidenti kosovar solli shembullin e marrëveshjes Çeki–Sllovaki, për të hedhur poshtë zërat që, siç tha ai, përhapin dezinformata se marrëveshja Kosovë – Serbi do destabilizonte rajonin.

“Pak vite më parë, jemi dëshmitarë të marrëveshjes paqësore për korrigjimin e kufirit mes Sllovakisë dhe Çekisë, shtete shembull sot në NATO dhe BE. Edhe atje procesi është përcjellë me debate të ndryshme të brendshme dhe në rrafshin europian. Mirëpo doli të jetë zgjidhja më e drejtë e mundshme, më e qëndrueshme dhe më e mira për popujt sllovak dhe atë çek.”

Thaçi nënvizoi se është pozitive që vëmendja e ndërkombëtarëve është drejtuar në Ballkan dhe se përmbyllja sa më shpejt e marrëveshjes do t’u lejonte të dy vendeve të mos ishin më peng i njëra-tjetrës.

Tv Klan