Ndërkombetarët vijojnë të bëjnë apel që mazhoranca dhe opozita të ulen në tryezën e dialogut. Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bern Borchard pas një takimi me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ripërsërit apelin e tij për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje si dhe gjetjen e rrugëve të dialogut.

“Ne nxisim të gjitha forcat politike që të marrin pjesë në zgjedhje. Inkurajojmë dialogun dhe një kërkim të përbashkët të problemeve me të cilat po përballet vendi. Është e pamundur që të shikoj të ardhmen”,

u shpreh ambasadori i OSBE.

Apel për të gjetur një zgjidhje për të gjitha sfidat me të cilat përballet Shqiperia bën edhe e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones. E pranishme në një aktivitet për luftën kundër kancerit të gjirit, Ones thotë se kur ka vullnet politik mund të zgjidhen çështje nga lufta ndaj kësaj sëmundje deri te reforma zgjedhore.

“Liderët shqiptarë duhet të punojnë bashkë për të përmirësuar situatën për gratë në Shqipëri, veçanërisht atyre me kancer gjiri. Shpresoj që kjo do të jetë një fushatë e përbashkët ku drejtuesit politikë të Shqipërisë të mblidhen së bashku për ta çuar vendin përpara. Koha është tani dhe mundësia është këtu. Të gjitha këto janë të mundshme me drejtues të mirë në krye që nga ekonomia ndoshta dhe reforma zgjedhore”.

Por apelet e ndërkombëtarëve duket se kanë rënë në vesh të shurdhët të paktën deri tani. Ftesës së shumicës për t’u bërë pjesë e reformës zgjedhore në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, demokratët nuk i kanë dhënë deri tani asnjë përgjigje publike.

Tv Klan