Autoritetet turke kanë vënë nën hetim të paktën 30 persona këtë të mërkurë, të cilët përdorën në Twitter hashtagun “olmus”, që përgjithësisht përkthehet “thuhet se ka vdekur” për Presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Hashtagu u bë viral për pak kohë për përdoruesit e Twitter-it në Turqi. Autoritetet policore turke thanë se personat nën hetim akuzohen për përhapje të dezinfomimit dhe përmbajtjes manipulative, ashtu sikurse edhe për fyerje ndaj Erdogan.

Zërat për shëndetin e Erdogan: Erdogan, 67 vjeç, po përballet me spekulime gjithnjë e në rritje për shëndetin e tij. Në një video të fundit, ai dukej se po qëndronte me vështirësi në këmbë dhe po ashtu kishte vështirësi për të ecur. Gjatë një mesazhi për festat në Korrik, ai nuk dukej mirë dhe fjala e tij ishte e paqartë në disa momente.

Sipas asaj që shkruan Deutsche Welle, ndihmësit e presidentit postuan disa video të mërkurën në të cilat Erdogan shfaqej duke ecur më shpejt, në përpjekje për të shuar zërat për shëndetin e tij. Muajin e shkuar kur një thashethem i ngjashëm për shëndetin e tij doli në qarkullim, zyra e Erdogan postoi një video në të cilën presidenti shfaqej duke luajtur basketboll./tvklan.al