800 të arrestuar në mbarë Europën

Prej kohësh grupet kriminale anekënd Europës kishin gjetur një mënyrë të re për të komunikuar në distancë pa rënë në gjurmët e policisë. Zgjidhja e tyre ishte aplikacioni Encrochat, i përdorshëm vetëm në telefonët e markës spanjolle BQ.

Por mbi 800 krerë e pjesëtarë të grupeve të mëdha kriminale u arrestuan në gjithë kontinentin, pasi ekspertët e policisë franceze e thyen sistemin e enkriptuar të këtij aplikacioni.

Hyrja në sistem zbuloi qindra mijëra biseda, që i çuan policitë e shumë vendeve e Europës në gjurmët e disa rrjeteve të mëdha kriminale. Në to flitej për pazare droge e trafiqe të tjera.

Dhjetëra operacione u zhvilluan në vende të ndryshme si Francë, Holandë, Britani të Madhe, Gjermani, Itali, Spanjë e vende të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë.

Mediat britanike shkruajnë se në rrjetën e policisë atje kanë rënë edhe dhjetra trafikantë shqiptarë droge që përdornin të njëjtin aplikacion për të komunikuar.

Të paktën dy operacione u zhvilluan me partnerët edhe në Shqipëri. Aplikacioni arrin në kufijtë e misterit, pasi Europol dhe hetuesit e vendeve të ndryshme europiane ende nuk e kanë të qartë se cilët ishin zhvilluesit e tij, teksa një pjesë e serverave të tij u zbuluan në Francë.

Nga të dhënat e deritanishme është mësuar se Encrochat kishte dalë në përdorim prej 2016-ës dhe deri në Korrik kishte grumbulluar 60 mijë përdorues. Nuk përjashtohet mundësia që ky rrjet të jetë financuar nga grupet kriminale për t’i bërë bisedat e tyre në distancë, të padeshifrueshme.

Tv Klan