Veliaj: Krijon lidhje të forta mes të rinjve në Europë

Vitin tjetër Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë. Gjatë një aktiviteti në mjediset e amfiteatrit pranë Universitetit të Arteve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kjo do jetë një mundësi e mirë për Tiranën për të treguar vlerat e saj perëndimore dhe për të sjellë në qytet të rinj nga e gjithë Europa.

“Edhe për pak muaj Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë. Do të jetë viti më fantastik për të rinjtë, jo vetëm të Shqipërisë, por do të prodhojmë vitin më energjik dhe më frymëzues edhe për të rinjtë e Europës. E shoh këtë si një besëlidhje të madhe të djemve e vajzave të Europës modern”.

Sipas Veliajt, ky event do të krijojë lidhje të rëndësishme mes të rinjve shqiptar dhe atyre nga e gjithë bota, ndërsa zbuloi edhe disa nga surprizat që do e shoqërojnë këtë vit të veçantë për kryeqytetin.

“Ne do të kemi vitin tjetër edhe Dua Lipën edhe Rita Orën, e në qoftë se ka sugjerime të tjera, jeni të mirëpritur të na i thoni. Do ishte gabim nëse ky do të trajtohej si një vit feste dhe ahengu sepse nuk është vetëm i tillë. Ne duam edhe të reflektojmë, të krijojmë lidhje, të krijojmë projekte që do t’i vazhdojmë përtej vitit 2022, të cilat mund të kthehen në marrëdhënie afatgjata”.

Përfaqësuesi i BE-së, Sylvain Gamberg, u shpreh se fuqizimi i të rinjve është prioritet i Delegacionit Evropian dhe ky titull është një çmim prestigjoz për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, rajonit dhe Evropës.

Nën sloganin “Activate”, ky titull është i bazuar në 8 programe kryesore që synojnë gjithëpërfshirjen dhe aktivizimin e të rinjve për zhvillimin e potencialit rinor të qytetit.

Tv Klan