Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Policia e Korçës sqaron se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin krijuar një rrjet për trafikimin e emigrantëve.  Në momentin e prangosjes ata janë kapur duke transportuar 27 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bindën urdhrit të efektivëve për të ndaluar.

Në pranga ka rënë: M. Gj., 28 vjeç, banues në Tiranë; K. P., 23 vjeç., banues në Kamëz, Tiranë; B. L., 28 vjeç, banues në Tiranë, si edhe u shpall në kërkim A. M., 22 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë. Ata u kapën teksa me një mjet tip furgon “Volkswagen Crafter”, po transportonin në drejtim të Tiranës emigrantë të paligjshëm. 

Gjatë ndjekjes, drejtuesit të këtij mjeti i është bërë me shenjë të ndalonte, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe ka braktisur mjetin, brenda të cilit u gjetën 27 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 Euro secilit, iu ishte premtuar kalimi për në vendet e BE-së.

Policia shton se M. Gj. dhe K. P., ishin në rolin e organizatorëve të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa shtetasit B. L. dhe A. M. ishin në rolin e  transportuesve./tvklan.al