Presidenti amerikan Donald Trump shfrytëzoi letrën e urimit për ditën e Pavarësisë së Maqedonisë, për t’i shprehur homologut nga Shkupi George Ivanov se sa rëndësi i kushtojnë Shtetet e Bashkuara, marrëveshjes me Greqinë për emrin e ri të vendit.

Ndër të tjera shefi i Shtëpisë së Bardhë shkruan:

“Maqedonia duhet të jetë krenare këtë vit. Marrëveshja historike e Prespës zgjidh çështjen e tejzgjatur të emrit me Greqinë dhe i hap rrugë integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Europian. Marrëveshja dhe antarësimi në NATO i Maqedonisë do të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë rajonin”.

Presidenti maqedonas është kundërshtar i marrëveshjes që qeveria e këtij vendi nënshkroi më 17 Qershor në Prespë me Greqinë. Ai nuk ka pranuar ta dekretojë marrëveshjen, pasi thotë se me emrin e ri “Maqedonia Veriore” vendi bie në varësinë e Greqisë.

Më 30 Shtator, në Maqedoni zhvillohet referendumi përmes të cilit qeveria kërkon mendimin popullor, nëse është apo jo e pranueshme marrëveshja me Athinën, që synon vijimin e rrugës së integrimit në NATO e BE.

Tv Klan