Franca dhe Italia forcojnë masat kufizuese

Siç nuk ka ndodhur kurrë deri më tani me pacientët që kurohen në spital nga infektimi me Covid-19, presidenti amerikan Donald Trump i hipi makinës dhe parakaloi në rrugët pranë klinikës ushtarake ku po kurohet, duke i bërë kështu një surprizë mbështetësve të tij.

Këta të fundit nuk kanë lëvizur prej të premtes nga ambientet e jashtme të spitalit, duke qëndruar entuziastë dhe në pritje të lajmeve të mira për presidentin.

Në rrjetet sociale kanë shpërthyer kritika ndaj presidentit, duke e akuzuar se ka rrezikuar jetën e shoqëruesve të tij. Mjekët thonë se presidenti po e merr veten dhe mund të dalë që këtë të hënë nga spitali për të vazhduar me kurat në shtëpi.

Ai është kuruar kryesisht me Deksametazon dhe sasi të vogla Remdesiviri. Në një video-mesazh në Twitter, Trump tha se infektimi me Covid i kishte dhënë një leksion të mirë, të cilin tashmë e kishte mësuar.

Nuk dihet nëse infektimi do t’a bëjë Trumpin të ndërmarrë politika më të përgjegjshme në menaxhimin e situatës së pandemisë. Në kontrast me Shtetet e Bashkuara, shumë vende europiane po ashpërsojnë masat me shtimin e rasteve të infektimeve.

Ndërkohë që në mbarë botën situata pandemike mbetet e vështirë, teksa një sërë shtetesh po rikthejnë masat kufizuese. Në Paris, prej të martës do të mbyllen baret, ndërsa kafenetë dhe restorantet do të funksionojnë me orare të kufizuara dhe kushte të rrepta higjenike.

Qeveria italiane pritet të aprovojë mbrëmjen e kësaj të hëne paketën e masave të ashpërsuara, ku parashikohet mbajtja me detyrim e maskave në ambientet e jashtme dhe mbyllja e bareve dhe restoranteve pas orës 22:00.

Tv Klan