Largimi i trupave amerikane nga Siria nuk do të jetë i menjëhershëm, pavarësisht vendimit të Presidentit Donald Trump. Sipas senatorit Lindsi Graham, procesi i tërheqjes së 2 mijë trupave po bëhet gjithnjë e më i ngadaltë, pasi terroristët e Shtetit Islamik nuk janë asgjësuar krejtësisht dhe vijojnë të përbëjnë rrezik për trazira në rajon.

Komentet, kreu i Komisionit për Gjyqësorin në Senat i bëri përmes rrjetit social Twitter, pas takimit që tha se kishte zhvilluar të dielën me presidentin Trump. Ai u shpreh se tërheqja e plotë do të bëhet pasi të jetë shkatërruar në mënyrë të përhershme ISIS, të garantohet që Irani të mos shtrijë influencën në zonat e çliruara prej terroristëve dhe po ashtu aleatët kurdë të amerikanëve të jenë në pozita të sigurta.

Senatori amerikan thotë se për këto tre objektiva, shefi i Shtëpisë së Bardhë po punon edhe me aleatët në rajon si Turqia dhe Izraeli. Megjithatë çështja e kurdëve është një prej pikave që ka krijuar tensione mes Uashingtonit dhe Ankarasë. Amerikanët i konsiderojnë aleatë militantët kurdë, ndërsa turqit i kategorizojnë si terroristë.

Tv Klan