Turqia mund të përballet me sanksione nga Bashkimi Europian për kërkimet për gaz në ujërat territoriale të Qipros. Kjo ka sjellë reagimin e Greqisë që njihet si aleate e Qipros. Kryeministri Tsipras mblodhi këshillin qeveritar për mbrojtjen dhe punët e jashtme dhe paralajmëroi se kërkesën do t’a parashtrojë në samitin e kësaj jave të liderëve të unionit.

“Ramë dakord që të përgatisim bazën që në samitin e Bashkimit Europian të merren vendime që arrijnë deri në sanksione ndaj Turqisë nëse faktohet kryerja e kërkimeve në zonat ekskluzive ekonomike qipriote. Mesazhi që duam që të përçojmë është që kushdo që shkel ligjet ndërkombëtare duhet të përballet me pasoja.”

Nismën e Tsiprasit e përkrahu edhe lideri i opozitës greke Qirjakos Micotaqis. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u përfshi në polemika me homologun francez Macron, i cili në mini-samitin e Maltës i kërkoi Turqisë të pezullojë kërkimet.

Erdogan iu kundërpërgjigj duke thënë se Franca është krejtësisht jashtë kësaj çështjeje dhe nuk duhet të ndërhyjë në punët e vendeve të Mesdheut lindor. Turqia pretendon se zotëron të drejtën e kërkimeve në zonat gazmbajtëse nënujore të Qipros, pasi ka në zotërim pjesën veriore të ishullit, që Greqia e konsideron si zonë të pushtuar.

Tv Klan