Turqia zhvillon të dielën zgjedhjet lokale, që për nga rëndësia janë më shumë se aq. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, nëse partia për Drejtësi dhe Zhvillim korr një tjetër fitore, Rexhep Taip Erdoan mund të ndërmarrë hapa për rishikimin e Lushtetutës, për t’i hapur rrugë një tjetër mandati presidencial në 2028-ën, kur mbyllet mandati i tij i dytë presidencial.

E nëse i humb, vendi mund të shkojë shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme, që do të përcaktojnë nga do të anojë peshorj; nga një Turqi më tepër e orientuar nga Perëndimi nëse fiton opozita aktuale ose një qëndrim i ndërmjetën si ai i deritanishëm, ku ndryshe nga aleatët e NATO-s, Ankaraja ruan marrëdhënie të mira me Rusinë e Vladimir Putinit.

Vëmendja më e madhe është tek Stambolli, të cilin Erdoan e humbi në 2019-ën, pas 25 vitesh që e qeverisën ai vetë fillimisht dhe njerëzit e tij. Kryebashkiaku aktual Ekrem Imamollu, përfaqësues i opozitës republikane, ndryshe nga 2019-a kur rrëzoi njerëzit e Erdoanit, nuk mbështetet më nga kurdët që luajtën një rol të rëndësishëm në fitoren e tij.

Të grupuar me partinë e re për barazi dhe demokraci të themeluar vitin e kaluar, kurdët kanë kandidatët e tyre, në përpjekje për t’u faktorizuar në arenën politike të Turqisë.

Sfida e partisë së Erdoanit është që këtë herë të fitojë të paktën disa nga qytetet e mëdha që në 2019-ën i humbi të gjitha.

Tv Klan