“Ka kryer shkelje të rënda”

Fatos Tushe nuk është më kryetar i Bashkisë së Lushnjes. Menjëherë pas arrestimit të tij me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit, Këshilli i Ministrave ka vendosur shkarkimin e tij nga detyra. Vendimi është marrë në datën 6, por u publikua këtë të mërkurë në Fletoren Zyrtare.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe që mban firmën e Kryeministrit Edi Rama, thuhet se shkarkimi i Tushes bëhet për shkak të shkeljeve të rënda të kryera prej tij gjatë ushtrimit të mandatit të Kryebashkiakut.

Ai u arrestua të martën në zyrën e tij, ndërsa mbi të rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, pasi rezulton të jetë i përfshirë në një tender abuziv me fond 24 milionë lekët për rehabilitimin e një kanali ujitës.

Bashkë me të u arrestuan edhe 8 zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie, si dhe dy biznesmenë.

Televizioni Klan mundi të sigurojë një pjesë të dosjes së SPAK ku bëhet e ditur se hetimi për këtë çështje ka nisur një vit më parë pas ankimit të bërë nga subjektet e përfshira në tenderin me objekt rehabilitimi i kanalit ujitës në fshatin Bishqethëm dhe Bitaj në njësinë Kolonjë.

Sipas dosjes së SPAK, pjesëmarrës në këtë prokurim kanë qenë tre subjekte: “Avduli shpk & Bahas SHPK”, “Hastoçi shpk” dhe “Euro-Alb shpk”. Prokuroria e Posaçme konstaton se ndonëse dy kompanitë e para paraqitën ofertat më të ulëta, tenderin e fitoi kompania “Euro-Alb” që paraqiti ofertën më të shtrenjtë.

Tv Klan