U denoncua nga Stop, arrestohet infermierja Ronida Hysa që i vodhi paratë pacientit në spitalin Covid 1



U denoncua nga Stop, arrestohet infermierja Ronida Hysa që i vodhi paratë pacientit në spitalin Covid 1

09:16 26/01/2021

Një infermiere e spitalit Covid 1 në Tiranë është arrestuar nga policia për vjedhjen e parave të një pacienti me Covid-19 që ka qenë i shtruar në Spitalin Infektiv

Rasti është denoncuar nga emisioni Stop në Tv Klan javën e kaluar. Infermierja e arrestuar është Ronida Hysa 30 vjeç nga Durrësi.

Në bazë të pamjeve filmike të analizuara nga Policia dhe Prokuroria, infermierja Ronida Hysa rezulton si autorja e vjedhjes së 600 mijë Lekëve nga bankomati në llogari të pacientit K. D., i cili ka qenë i shtruar në Spitalin infektiv, ku ka ndërruar jetë si pasojë e sëmundjes COVID-19.

Pas arrestimit, infermierja e turnit Ronida Hysa ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Ajo akuzohet për vjedhje dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën.

Djali i të ndjerit kishte bërë denoncim në Komisariatin Nr.4 të Policisë së Tiranës dhe rastin e kallëzoi edhe në emisionin Stop. Ai tha se babai i tij kishte në portofol 200 mijë Lekë të vjetra. Pasi i ati ndërroi jetë, stafi i spitalit i ktheu portofolin e të atit.

Por vuri re së mungonin 200 mijë Lekë të vjetra dhe karta e bankës së bashku me letrën ku ishte kodi PIN. Emisioni Stop nga investigimi zbuloi se paratë nga bankomati ishin tërhequr në 3 raste të ndryshme nga 200 mijë Lekë, në total 600 mijë Lekë. Dëmi i shkaktuar është vjedhja e 800 mijë Lekëve të vjetra së bashku me paratë cash në portofol.

Ky është rasti i dytë i vjedhjeve brenda spitaleve Covid në Tiranë që denoncohet nga emisioni Stop në Tv Klan. Rasti i parë ka qenë i sanitares Tire Alldërvishi në spitalin Covid 1 (Sanatorium) që i merrte para vajzës së një pacienteje që humbi jetën nga koronavirusi. /tvklan.al






Të ngjashme