Dy ditë më parë, në qytetin e Lamias në Greqi u ndalua Alket Rizai, shqiptari i njohur nga autoritetet greke dhe nga opinioni publik, së bashku me një biznesmen dhe një shqiptar tjetër i cili ka qenë në kërkim.

Të tre udhëtonin me një makinë BMW me xhama të zinj. Alket Rizai, i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi, kishte dalë nga burgu me leje 5-ditore.

Ndërsa shoku i tij që ishte në kërkim, një 45-vjeçar shqiptar emri i të cilit nuk është bërë publik, akuzohet për një vrasje të kryer më 8 Tetor 2017 në Athinë.

E përditshmja greke “Kathimerini” shkruan se 45-vjeçari është një nga autorët e vrasjes së shqiptarit Roland Shëmbitrasi me origjinë nga Korça dhe që ka jetuar në Librazhd. Pas largimit nga Shqipëria, 39-vjeçari Shëmbitrasi jetonte prej vitesh në Greqi dhe u ekzekutua në orën 04:40 të mëngjesit në lokalin “Joy Bar”, biznes në të cilin ishte bashkëpronar.

Hetuesit grekë thonë se dy persona kanë qenë ekzekutorë të Shëmbitrasit, një 38-vjeçar i cili është vrarë më 28 Dhjetor 2020 jashtë shtëpisë së tij, dhe 45-vjeçari shqiptar që u arrestua në makinë me Alket Rizain të premten (29 Janar 2021).

45-vjeçari ka qenë në kërkim për vrasjen e Shëmbitrasit vetëm pak ditë më parë. Më 14 Janar 2021, hetuesit grekë e shpallën atë në kërkim për këtë ngjarje pasi u arrit që të identifikohej si një prej personave që kishte ekzekutuar Roland Shëmbitrasin, raporton “Kathimerini”.

Ky person, 45-vjeçari shqiptar, konsiderohet si “dora e djathtë” e biznesmenit që ishte së bashku me të në makinë dhe me famozin Alket Rizai. Vetë biznesmeni ka qenë i përfshirë në histori zhvatjeje dhe bixhoz të paligjshëm.

Sipas të njëjtës gazetë greke, shqiptari i kërkuar për vrasje cilësohet si një nga “kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë”. Ai bënte udhëtime të rregullta në Shqipëri, në Angli dhe më pas kthehej sërish në Greqi, shkruan “Kathimerini”.

Autoritetet greke janë duke hetuar nëse 45-vjeçari ka qenë i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale. /tvklan.al