Një vajzë e re kërkon 3 milion Euro dëmshpërblim ndaj një spitali në Spanjën veriore pasi zbuloi se ajo dhe një foshnjë tjetër janë ngatërruar në materniteti dhe iu dhanë aksidentalisht familjeve të gabuara disa orë pasi ato lindën. Kjo ngjarje ka ndodhur dy dekada më parë.

Ngatërrimi në maternitet i cili u quajt nga autoritetet shëndetësore në rajonin e La Rioja si “gabim njerëzor”, doli në dritë rastësisht pas një testi të ADN-së.

Foshnjat lindën me një diferencë prej pesë orë në një spital në La Rioja në 2002 dhe të dyja u vendosën në inkubatorë sepse ishin nën peshë. Njëra shkoi të jetonte me prindërit, ndërsa tjetra u rrit nga një grua që besonte se ishte gjyshja e saj. Asnjëra prej tyre nuk është identifikuar në procedurat ligjore në vazhdim.

Ky incident u zbulua katër vjet më parë pasi gjyshja e vajzës së fundit u ankua se babai i saj nuk po përmbushte përgjegjësitë e tij. Ankesa përfshinte një test të ADN -së, i cili vërtetoi se ai nuk ishte babai i vajzës. Një test i mëvonshëm i ADN -së tregoi se ajo nuk ishte fëmija i gruas që mendonte se ishte nëna e saj.

Zbulimi nxiti një hetim nga autoriteti shëndetësor rajonal, i cili arriti në përfundimin se ishte vetëm një foshnjë tjetër me të cilën ajo mund të ishte ndërruar aksidentalisht, sipas The Guardian.

“Ishte një gabim njerëzor dhe ne nuk kemi qenë në gjendje të zbulojmë se kush ishte fajtori,” tha Sara Alba, shefja e shëndetësisë rajonale e La Rioja, në një konferencë shtypi të martën.

“Sistemet atëherë ishin të ndryshme dhe nuk ishin aq të kompjuterizuara sa janë tani,” tha Alba, duke ofruar garanci se nuk mund të ndodhë përsëri.

Gazeta La Rioja raportoi se vajza tjetër që iu dorëzua prindërve të gabuar ishte informuar për gabimin.

Avokati i ankuesit, José Sáez Morga, tha se klientja e tij 19-vjeçare po kërkonte 3 milionë Euro dëmshpërblim. /tvklan.al