Udhëheqësit botërorë do të flasin për klimën në një takim virtual global



Udhëheqësit botërorë do të flasin për klimën në një takim virtual global

08:19 22/04/2021

Më shumë se 25 udhëheqës botërorë do të flasin të enjten, në Ditën e Tokës, në takimin virtual global të nivelit të lartë mbi ndryshimin e klimës, organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden.

Ndër ata që planifikojnë të flasin janë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres, Presidenti kinez Xi Jinping, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, Kryeministri britanik Boris Johnson, Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti francez Emmanuel Macron, Presidenti brazilian Jair Bolsonaro dhe Kryeministri Indian Narendra Modi.

Zoti Xi do të mbajë një “fjalim të rëndësishëm” në konferencë, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme kineze Hua Chunying.

Pikëpamjet e Xi do të kenë rëndësi për përpjekjet e ardhshme globale për të kontrolluar ndryshimin e klimës pasi Kina mbetet çliruesi më i madh në botë i gazeve që shkaktojnë efektin serrë, me 28%, më shumë se dyfishi i asaj që çliron vendi pas saj, Shtetet e Bashkuara.

Zoti Xi është mes 40 udhëheqësve botërorë të ftuar nga presidenti Biden për të marrë pjesë në takimin dyditor. Presidenti kinez pranoi të fliste në takim, disa ditë pasi John Kerry, i dërguari i posaçëm i zotit Biden për ndryshimin e klimës, zhvilloi bisedime javën e kaluar me homologun e tij kinez, Xie Zhenhua, në Shangai.

Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se nuk pret që zoti Biden të mbajë takime dypalëshe me ndonjë nga udhëheqësit e tjerë botërorë,

Pjesëmarrja e zotit Xi është hera e parë që ai shfaqet në një takim me zotin Biden që kur ky i fundit mori detyrën në janar dhe kjo vjen në mes të tensioneve në rritje midis dy superfuqive ekonomike për një mori çështjesh, përfshirë forcimin e kontrollit të Pekinit në Hong Kong dhe trajtimin brutal të ujgurëve në provincën veriperëndimore të rajonit Xinjiang.

Por të dyja vendet me sa duket kanë gjetur gjuhë të përbashkët për uljen e ndryshimeve të klimës, ndërsa gazet e efektit serrë janë të lidhura drejtpërdrejt me këto ndryshime.

Takimi global i nivelit të lartë për klimën është pjesë e përpjekjeve të zotit Biden për të rikthyer rolin udhëheqës së Shteteve të Bashkuara pas qëndrimit mospërfillës ndaj çështjes nga paraardhësi i tij, Donald Trump. Në vitin 2015, ish-presidenti i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit 2015, e cila vendosi një kufi në çlirimin global të karbonit. Zoti Biden hyri përsëri në marrëveshje menjëherë pas marrjes së detyrës.

Zyrtarët e administratës së zotit Biden thonë se presidenti mund të njoftojë në takimin e nivelit të lartë hapat për t’i dhënë fund një beteje ligjore me shtetin më të populluar të vendit, Kaliforninë, për rregullimin e çlirimit të gazeve nga automjetet, çka mund të çojë në standarde më të rrepta kombëtare për emetimet automatike që zoti Trump kishte kërkuar që të dobësoheshin.

Zoti Bolsonaro i Brazilit po u kërkon Shteteve të Bashkuara 1 miliard dollarë ndihmë ekonomike në këmbim të shkurtimit të shpyllëzimit të Amazonës me 40%.

Zoti Putin, në fjalimin e tij vjetor para qeverisë ruse të mërkurën, tha se ai po vendos një objektiv për të ulur emetimet e gazeve serrë të Rusisë nën nivelet e Bashkimit Evropian në 30 vitet e ardhshme dhe planifikon të rrisë gjobat për ndotësit industrialë.

“Nëse keni përfituar nga natyra, pastroni ndotjet që bëni,” tha zoti Putin duke iu referuar derdhjeve masive toksike në rajonet Krasnoyarsk dhe Irkutsk të Siberisë vitin e kaluar./VOA







Të ngjashme