Banka e Shqipërisë do të propozojë një ligj të ri për të modernizuar sistemin e pagesave në Shqipëri. Bëhet fjalë për transfertat jashtë dhe brenda vendit, në vlera të vogla të cilat sot kanë kosto të larta për qytetarët dhe sisteme dixhitale të vjetra. Kostoja e një dërgese në Shqipëri llogaritet të jetë 9.4% e shumës, nga 7.2% që është mesatarja e rajonit. Guvernatori Gent Sejko prezantoi platformën e dixhitalizimit gjatë një konference për shtyp.

 “Banka e Shqipërisë, po ndërmerr hapa të rëndësishëm në kuadër të reformimit dhe modernizimit të sistemeve të pagesave me vlerë të vogël. Vizioni për të ardhmen është “krijimi i një tregu bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe eficiente, dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh që përmbushin nevojat e përdoruesve”.

Një nga arsyet kryesore përse Shqipëria ka dërgesat më të mëdha në formën e parave “cash” është kostoja e lartë e transfertave. Në 2017-ën emigrantët dërguan në Shqipëri 1.16 miliardë euro, ku 40% e tyre rezultuan jashtë kanaleve bankare.

Tv Klan