Mirela ka treguar në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare se ka qenë e birësuar nga dy prindër Shkodranë dhe e ka zbuluar këtë gjë kur ishte në gjimnaz. Direkt pasi u martua ajo nisi kërkimet për familjen biologjike, ku përveç nënës gjeti dhe një vëlla tjetër të braktisur në shtëpinë e fëmijës.

Ardit Gjebrea: Ti kë ke ftuar sot?

Mirela: Sipas të dhënave mua më thanë që kjo ka dhe një djalë të quajtur Arben. Arbeni ishte fëmija i saj i parë dhe ai jetonte në Shkodër. Mua më tha një person që të ndihmoj unë ta gjesh, se në furrat e bukës ku punonte ai, ajo kishte shoqëri e më tha ta gjej unë atë. Atij i thonë të kërkon një vajzë dhe sipas të dhënave thotë që është motra. U prezantuam, ai kallëzoi të vetat, unë të mijat.

Ardit Gjebrea: Dhe rezultuat vëlla e motër?

Mirela: Në bazë të ngjashmërisë, të bardhë, të hollë e kemi krijuar atë idenë që ne jemi motër e vëlla. Unë kam qenë 27 vjeç kur e kam takuar dhe akoma kam marrëdhënie të mira me të. Me atë intuitën time them që 90% jemi motër e vëlla, por i vihet një vulë, një dokument tamam i sigurt, je pak më i çlirët.

Ardit Gjebrea: Po ti e ndjen që Ismetja është nëna jote?

Mirela: 90% po.

Ardit Gjebrea: Çfarë do i thuash Arbenit sot?

Mirela: Do ti them që do e përforcojmë mendimin që jemi motër e vëlla dhe duhet që nëna ta pranojë me gojën e vetë se unë jam vajza e saj. Unë mendova t’ja bëj këtë surprizë pasi ai ka qenë personi më i dhimbshëm, sepse ka jetuar në breforof, më vjen keq ta them këtë.

Ardit Gjebrea: E ka takuar Arbeni Ismeten?

Mirela: Po, po më ka thënë.

Ardit Gjebrea: E ka pranuar Ismetja se Arbeni është djali i saj?

Mirela: Arbeni thotë se ka shkuar 3 herë në këtë fshat kur ka qenë i ri, e ka kërkuar dhe ajo i thoshte unë e di se je djali im, ke vuajtur, më vjen keq, por nuk kam pasur mundësi të të mbaj. /tvklan.al