Arban Domi, Drejtor i Zhvillimit të Vaksinave në Kompaninë GeoVax, në një lidhje në Skype në emisionin “Opinion”, tha mbrëmjen e kësaj të enjteje se vaksina e Pfizer, e cila deri në testet e deritanishme ka rezultuar e suksesshme kundër koronavirusit, mund të jetë gati në fund të Dhjetorit. Një lajm i mirë ky për situatën ku ndodhemi, megjithatë me përllogaritjet e Domit, të pasurit akses masiv në këtë vaksinë duket disi e vështirë sidomos për Shqipërinë. Kjo pasi e para është Amerika ajo që ka lidhur kontratë me kompaninë, e që do të marrë pjesën më të madhe të dozave. Pjesën tjetër do t’i marrin vendet europiane si Gjermanie etj… Sa i përket Shqipërisë, profesori Domi, me një përllogaritje të thjeshtë thotë se vaksina mund të vijë vetëm vitin tjetër dhe dozat do të jenë tek 10 mijë… për 5 mijë persona, që siç parashikon eksperti do të shkojnë për stafin mjekësor.

Blendi Fevziu: Kur kjo vaksinë mund të jetë e gatshme për vaksinim masiv? Pra kur mund të jetë për përdorim të certifikuar?

Arban Domi: Kjo është e rëndësishme. Javën e tretë të Nëntorit, maksimumi në fund të Nëntorit, Pfizer do të paraqesë pranë Agjencisë Rregullatore Amerikane dhe Europiane të dhënat e sigurisë për 2 muaj, sepse iu është kërkuar nga të dyja agjencitë rregullatore, për dy muajt e fundit të vaksinimit. Dhe në momentin që këto dy agjenci, që janë më të rëndësishmet, amerikania dhe europiania, besoj se do të kenë nevojë për 3-4 javë të analizojnë të dhënat, mund të shpejtohet pak, por jo më shumë se kaq.

Blendi Fevziu: Po deri në fund të Dhjetorit po themi?

Arban Domi: Teorikisht, nëse pranojmë dhe shpresojmë që gjithçka shkon mirë për momentin dhe kjo është vetëm për muajt e ardhshëm. Në fund të Dhjetorit nëse jepet aprovimi për emergjencë dhe kjo është e rëndësishme për afatin e shkurtër të dhënies së lejes emergjence, sepse siguria dhe efikasiteti shihen në periudha afatgjata. Pfizer ka filluar prodhimin dhe deri në fund të vitit do të ofrojë 100 milionë doza. 100 milionë doza janë të prodhuara, përveç vështirësive që janë për transport, për ruajtje duhet të konsiderojmë një 10 përqind humbje. Domethënë 90 milionë doza, nga këto do përpjestojmë për 2, sepse janë 2 imunizime për person. Domethënë deri në fund të vitit, vetëm Phizer do ketë vetëm 55 milionë, nga të cilat 40 milionë doza, ose për 20 milionë që është gati gjysma, do t’i marrë Amerika, sepse është bërë kontrata paraprake. Pjesa tjetër do të shkojë për Europën dhe për shtete të tjera. Vitin tjetër, Phizer maksimumi do të prodhojë 1.3 miliardë doza. Nëse e limiton një 10 përqind, i bie 120 milionë doza në muaj i thonë 60 milionë pacientë në muaj… kështu që shpejtësia do të jetë relative, sidomos për shtete jo me fuqi të madhe gjeopolitike dhe ekonomike.

Blendi Fevziu: Po natyrisht dozat e para do i marrë Amerika, Gjermania… këto i dimë. Profesor po ti nuk e njeh tregun e zi në Shqipëri…

Arban Domi: Sido që të jetë tregu i zi, por nuk ka vlerë… Në Shqipëri mund të vijnë 10 mijë doza. 10 mijë doza i thonë për 5 mijë persona, të cilët do ta marrin me shumë të drejtë mjekët dhe personeli që është ditë për ditë në rrezikshmëri./tvklan.al