Varianti “Delta”, Fauci: Mund të duhet një dozë e tretë


Varianti “Delta”, Fauci: Mund të duhet një dozë e tretë

22:39 25/07/2021

“Doza përforcuese mund të injektohet tek personat me imunitet të dobët”

Një dozë e tretë e vaksinës anti-Covid mund të jetë e nevojshme vetëm për një kategori të caktuar personash, imuniteti i të cilëve është tepër i ulët, sipas ekspertit të Shëndetësisë, Anthony Fauci.

Deklarata e Faucit vjen në një kohë kur rastet me variantin “Delta” janë gjithnjë e në rritje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Personat që së fundmi kanë kryer një transplantim ose po i nënshtrohen kimioterapisë dhe kanë sëmundje auto-imune, këto janë disa prej kategorive që nëse do të vendoset marrja e një doze të tretë përforcuese do të jenë të parët të cilët do e marrin”.

Duke folur rreth studimeve të fundit, të cilat tregojnë se ka një ulje të imunitetit edhe te personat e vaksinuar, Fauci tha se ekspertët e shëndetësisë në SHBA po rishikojnë të dhënat dhe po studiojnë mundësinë e nevojës së një doze të tretë.

Më herët edhe kompania farmaceutike e Pfizer i depozitoi FDA-së kërkesën për miratimin e një doze të tretë përforcuese të vaksinës anti-Covid, por sipas FDA-së dhe OBSH-së, ende nuk ka të dhëna që qytetarëve do ju duhet domosdoshmërisht një dozë e tretë e vaksinës anti-Covid.

Javët e fundit e gjithë bota është përfshirë nga një valë e re e rasteve të variantit “Delta”, i cili po përhapet me shpejtësi dhe konsiderohet si më ngjitësi.

Shumë shtete kanë vendosur të rikthejnë masat e mëparshme kundër Covid-19, për të parandaluar pasojat e rënda të virusit.

Klan News






Të ngjashme