“Prindërit dhe edukatoret të respektojnë rregullat”

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka parë nga afër masat e marra në çerdhen Numër 34, që do të hapet për fëmijët në datën 1 Qershor. Veliaj kërkoi nga prindërit dhe edukatorët të ndjekin një procedurë të veçantë për të garantuar shëndetin e të vegjëlve.

“Nëse fëmija ka temperaturë mbi normalen, do të rikthehet në shtëpi, për të mos rrezikuar fëmijët e tjerë. Çelësi është bashkëpunimi! Bashkëpunim që kur prindërit i sjellin fëmijët në çerdhe/kopsht, duke respektuar pikat e verdha, të mos vijnë si familje, mjafton vetëm njëri nga prindërit. Jo gjyshërit, sepse ata janë më vulnerabël”.

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje prindërve që nëse janë një ndër rastet që po gjurmohen apo në proces testimi, të vënë në dijeni personelin e çerdheve dhe të kopshteve.

“Nëse janë një ndër rastet që po gjurmohen apo në pritje të përgjigjes, apo nëse kanë pasur një person që mund të jetë shëruar, do të duhet të plotësojnë një deklaratë, për të cilën mbajnë përgjegjësi ligjore nëse gënjejnë”.

Veliaj inspektoi ambientet e brendshme dhe të jashtme, duke siguruar prindërit se është kryer dezinfektimi i plotë i të gjitha çerdheve e kopshteve dhe gjithçka po bëhet gati për ditën e hënë.

Tv Klan