“Nuk ka krizë strehimi pas tërmetit”

Faza e rindërtimit do të rrisë punësimin në kryeqytet. Gjatë edicionit të dytë të Panairit të Ndërtimit, Arkitekturës dhe Planifikimit Urban që po mbahet këto ditë në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se tërmeti i 26 Nëntorit tregoi se Tirana nuk ka krizë strehimi.

“Shumë prej krizave i kemi zgjidhur në bashkëpunim me ta. Është një industri e cila me administratën e re i është dhjetëfishuar taksa; pra, kontribuon 10 herë më shumë, gjithashtu i është shtuar për herë të parë detyrimi i 3% e ndërtimit për banesat sociale. Mezi pres që kjo industri të jetë punëdhënësja më e madhe me rindërtimet pas tërmetit”.

Sipas Veliajt, tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi më shumë dëme tek objektet e ndërtuara me punë vullnetare gjatë viteve ‘70-’80 dhe tek ato zona ku nuk mund të ndërtohej.

“Gjithë ky llum dhe baltë hidhet mbi një nga industritë që është ndoshta nga më të rregulluarat. Siç provoi tërmeti, u dëmtuan 2 kategori banesash: ndërtimet e viteve ‘70-’80, që u ngritën me punë vullnetare, dhe tahmanë e dikujt që ndërtoi në rërë, që mori leje për dy kate dhe ndërtoi 8 në vitin e rrumpallës. Por, tërmeti nuk dëmtoi ndërtimet serioze, të viteve të fundit”.

Vetëm pak ditë më parë, nga Konferenca e Donatorëve në Bruksel u siguruan 1.15 miliardë Euro për rindërtim.

Tv Klan