PD: Kryebashkiaku shpërfill vendimin, të arrestohet

Në reagimin e parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se tashmë i është hapur rruga ndërtimit të projektit të ri. Në Tëitter, Velaij shkroi se Gjykata la në fuqi vendimin për shembjen e ndërtesës së vjetër.

“Tani të ecim përpara e të ndërtojmë shtëpinë më të madhe e moderne të Teatrit në Ballkan, boll humbëm kohë me histeri, si me çdo projekt të madh! Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës, lë në fuqi vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar”.

Por Partia Demokratike thotë se në këtë mënyrë Veliaj po shpërfill vendimin e Gjykatës ndaj duhet të arrestohet.

“Erjon Veliaj që edhe sot vijoi hapur të sfidojë drejtësinë, të sfidoi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetutese, të injoroi faktin se në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit ka shkatërruar një pasurie kombëtare, duhet të arrestohet menjëherë. Duke shpërdoruar rëndë detyrën, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit, Erjon Veliaj është autori dhe përgjegjësi direkt për një dëm me vlerë të jashtëzakonshme për pasurinë tonë kombëtare”.

Për vendimin e Gjykatës ka reaguar edhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha që në rrjetet sociale shkroi shkurt: “Gjykata Kushtetuese foli, radhën e ka SPAK!” të shoqëruar me hashtagun “aty ku ishte ashtu siç ishte”.

Tv Klan