Ligji i ri vendos si kriter pastërtinë e figurës dhe integritetin profesional

Të gjithë noterët, zëvendës noterët dhe kandidatët për t’u licencuar në këtë profesion, do t’i nënshtrohen kontrollit të pastërtisë së figurës dhe integritetit profesional.

“Vettingu” i kësaj kategorie pritet të nisë së shpejti, pas miratimit të ndryshimeve në ligjin për Noterinë, të iniciuara nga Ministria e Drejtësisë dhe të rekomanduara nga njësia europiane kundër pastrimit të parave Moneyval.

Ligji do të detyrojë të gjithë kandidatët që përveç vërtetimit të gjendjes gjyqësore të dorëzojnë edhe formularin e pastërtisë së figurës, ku të zotohen se nuk kanë patur kontakte me persona të përfshirë në akte korruptive apo elementë të krimit të organizuar dhe që nuk rezultojnë në listën e financimit të terrorizimit dhe pastrimit të parave.

“Në projektakt janë përkufizuar edhe termat “Kontakt i papërshtatshëm”, “Lidhje të ngushta familjare”, “Person i përfshirë në krimin e organizuar”, me qëllim krijimin e kushteve për verifikimin nëse subjektet gëzojnë integritet dhe besueshmëri.”

Verifikimi për ata që ushtrojnë sot këtë profesion do të bëhet nga strukturat e ministrisë së Drejtësisë. Në rastet kur ka dyshime, ky institucion do të kërkojë informacion shtesë nga noterët dhe organet e tjera publike.

Një vit më parë Shqipëria u fut në listën gri të pastrimit të parave nga Njësia Moneyval, ndërsa ka marrë një sërë rekomandimesh për rritjen e mbikëqyrjes në sektorë të rëndësishëm si te ato të transfertave të parave dhe te noterët e agjencitë e pasurive të patundshme.

Tv Klan