Gjithçka është gati për t’i dhënë rrugë javën e ardhshme procesit të vetingut. Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të monitorimit Genoveva Ruiz Calavera u dha orientimet e fundit në Tiranë 27 njerëzve të vetingut dhe pjestarëve të ekipit ndërkombëtar të instaluar në Tiranë.  

Bien në sy në krah të Kalaveres si anëtarë të Kolegjit të Apelimit  ish-kryeprokurorja Ina Rama dhe Albana Shtylla, ish-Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit në kohën kur drejtohej nga ish-kryeparlamentari Ilir Meta. Trupat e vettingut janë istaluar në mjediset e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në godinën e ish-Kontrollit të Shtetit. Kostoja bazë e reformës  për palën shqiptare vetëm gjatë tre viteve në vijim shkon rreth 2 miliardë lekë të rinj. Deputetja socialiste Klodiana Ferhati thekson se procesi përgatitor i vetingut, përfshirë ekspertizën e huaj, ka kushtuar para pa fund.

Që në zanafillë, 3 vjet më parë reforma në drejtësi u konceptua mbi dy shtylla bazë; e para Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, e dyta ngritja e një prokurorie, gjykate dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit që do të jetë përgjegjëse për të luftuar korrupsionin tek zyrtarët e nivelit të lartë. Deri më datë 13 Tetor vijojnë aplikimet për stafin ndërkombëtar ndihmës që do të asistojnë 8 ekspertët kryesorë të ONM.

Përpos vlerësimit të vilave, bizneseve dhe makinave, ekspertët e Komisionit të Vlerësimit dhe Kolegjit të Apelimit do të zbarkojnë në shtëpitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të kontrolluar për paratë, orët e shtrenjta, pikturat, çantat luksoze, byzylykët, kostumet, orenditë dhe çdo send tjetër me vlerë, që komprometon subjektin.

Vettingu do të nise me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Lalla, për të vijuar më pas me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe me kryetarin e Gjykatës së Lartë Xhezahir Zaganjori.

Disa prokurorë rezultojnë me borxhe dhe jetojnë prej vitesh me qira, ndërsa kolegët e tyre deklarojnë disa apartamente, gomone, vila, biznese dhe makina të shtrenjta.

Përpos monitorimit të procesit, përfaqësuesit e ONM do të mbledhin prova dhe fakte per prokurorët dhe gjyqtarët, rreth pasurive dhe lidhjeve të tyre me segmente të krimit.

Për llogari të procesit të Vetingut, vëzhguesit ndërkombëtarë do të kenë akses në regjistrin e pasurive të paluajtshme, në regjistrin noterial shqiptar, në llogaritë bankare, në të dhënat tatimore, në të dhënat për hyrje-daljet në kufi, në të dhënat mbi kreditë, të ardhurat, mbi sende të luajtshme ose të paluajtshme dhe në çdo dokument tjetër që i shërben kontrollit.

Burimi: Klan Plus