Këto pamje i përkasin një aksidenti të ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në kryeqytet. Një person i cili udhëtonte me biçikletë mbeti i plagosur, pasi u përplas nga një makinë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:05, në Rrugën e Kavajës, në rrethana ende të paqarta. Burime zyrtare të policisë thonë se i plagosur ka mbetur një burrë rreth të 50-tave, identiteti i të cilit për momentin nuk dihet.

Në rubrikën Kallëzo në tvklan.al qytetarët dërguan këto pamje që tregojnë momentin kur shërbimet e emergjencës transportojnë drejt spitalit të plagosurin.

“Rreth orës 21:05, në Rrugën e Kavajës, mjeti me drejtues shtetasin M. V.,  ka aksidentuar një biçiklist ende të paidentifikuar, rreth 50 vjeç, i cili po dërgohet në spital, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor po punon për identifikimin e tij dhe sqarimin e rrethanave të aksidentit”, tha Policia e Tiranës në një informacion paraprak për mediat./tvklan.al