27 vite pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia, Maqedonia ndryshon emrin e saj zyrtar në “Republika e Maqedonisë Veriore”. Marrëveshja që i jep fund konfliktit me Greqinë u kurorëzua paradite gjatë një ceremonie në fshatin grek Psaradhes buzë liqenit të Prespës, pranë pikës ku bashkohen kufijtë e Shqipërisë, Maqedonisë e Greqisë.

Dokumenti u nënshkrua nga ministrat e jashtëm të dy vendeve Nikos Kocias e Nikola Dimitrov, si dhe ndërmjetësuesi ndërkombëtar i takimeve të tyre Methju Nimiç.

Në shenjë miqësie ndaj homologut grek, kryeministri maqedonas hoqi kravatën duke iu përshtatur stilit të tij të veshjes. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe komisionerët europianë Johanes Han e Federika Mogerini. Kryeministrat Aleksis Cipras e Zoran Zaev folën për nisjen e një epoke të re në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Duam të bëjmë një hap për të harruar plagët e të kaluarës, jo vetëm për vendet tona por edhe për Europën, drejt një të ardhmeje më të mirë. Marrëveshje do verë themelet e një epoke të re”,

tha Aleksis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

“Ndjesia ime gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ishte sikur po zhvendosnim malet. Ne po ndërtojmë të ardhmen. Marrëveshja na inkurajon për besim më të madh mes dy vendeve dhe jetë më të mirë mes dy popujve tanë… po ndërtojmë miqësi me Greqinë”,

tha Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë.

Sfida e radhës është miratimi në parlamentet e dy vendeve i marrëveshjes që e emërton “Maqedoni Veriore” ish-Republikën Jugosllave. Shumica qeverisëse në Maqedoni i ka 61 votat e nevojshme, por problem ka refuzimin e presidentit Ivanov për ta nënshkruar. Edhe opozita greke i ka bërë kundërshti të fortë marrëveshjes, por shumica qeverisëse kaloi natën mes të shtunës dhe të dielës, një provë të fortë. I mbijetoi mocionit të mosbesimit opozitar, duke treguar se edhe shumica e nevojshme për miratimin e marrëveshjes mund të arrihet.

Tv Klan