Ambasadori amerikan Donald Lu ka mohuar që të ketë lidhje me filantropin George Soros. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ambasadori i SHBA u shpreh se Fondacioni Soros nuk është pjesë e qeverisë amerikane, por fondacion privat, dhe për këtë arsye nuk mund të mbështesë aktivitetet e saj.

Ambasadori Lu i ka konsideruar pretendime të disa politikanëve shqiptarë të cilët mendojnë se miliarderi Soros po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Dhe pyetja e fundit, Z. Ambasador. Ka shumë njerëz në Shqipëri që mendojnë se George Soros, miliarderi amerikan, po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë nëpërmjet Fondacionit Soros dhe nëpërmjet mbështetjes për qeverinë. Cili është opinioni juaj për këto ide?

Ambasadori Lu:

Më lejoni t’i përgjigjem në dy mënyra pyetjes. E para, më duhet të them se Fondacioni Soros është një fondacion privat, nuk është një ent i qeverisë së SHBA në asnjë mënyrë, pra si ambasador amerikan do të ishte e pavend për mua që qoftë të mbështesja aktivitetet e Fondacionit Soros apo të kritikoja ato. Janë disa politikanë shqiptarë që kanë pretenduar se unë, Ambasadori i SHBA, ose ne, Ambasada e SHBA, në ndonjë mënyrë, kemi financuar Sorosin këtu apo kemi mbështetur veprimtaritë e tyre në Shqipëri. Është tërësisht e pavërtetë. Dhe nuk jam vërtet i sigurt se pse vvazhdojnë ta tregojnë këtë histori. Nuk ka pasur para amerikane që shkojnë tek Fondacioni Soros në Shqipëri. Është e vërtetë që Soros ka programe këtu, e dini ju, e di edhe unë. Hera-herës, këto programe kanë objektiva të përbashkëta me programet e qeverisë së SHBA. Shembulli më i dukshëm është reforma e gjyqësorit, apo jo? Ata financuan një pjesë të punës kërkimore për reformën në hapat e parë, qeveria e SHBA ka investuar fuqishëm për atë reformë, por këtë kanë bërë edhe socialistët, edhe demokratët, edhe LSI, edhe europianët, është projekt i përbashkët. Ka raste, kur Fondacioni Soros ka zhvilluar programe të tjera këtu me të cilat ne, qeveria e SHBA, nuk kemi qenë në një mendje. Është fondacion privat, nuk ka të bëjë me qeverinë e SHBA.

Blendi Fevziu: Ambasador, faleminderit shumë. Nuk kemi më kohë por ndoshta herën tjetër mund të zhvillojmë një intervistë më të gjatë. Faleminderit shumë që ishit në studion e Opinion.

Ambasadori Lu: Blendi, faleminderit për mundësinë. Ka qenë vërtet një kënaqësi që kam qenë këtu në Shqipëri. Dua të them se nuk ka dy vende më të afërta në botë se sa Shqipëria dhe SHBA dhe unë ndihem i nderuar që kam qenë një pjesë e vogël e afrimit të dy vendeve edhe më shumë.

Blendi Fevziu:

Është një marrëdhënie historike.

Ambasadori Lu: Faleminderit.

Blendi Fevziu:

Faleminderit shumë, Ambasador. 

Ambasadori Lu: Ju faleminderit.

/tvklan.al