Video/ Protesta për rrugën, ambasadori Lu: Nuk bëhen arrestime masive në mes të natës

Video/ Protesta për rrugën, ambasadori Lu: Nuk bëhen arrestime masive në mes të natës

21:13 05/04/2018

Për herë të parë në një intervistë televizive, ambasadori i SHBA Donald Lu ka folur për çështje të ndryshme të aktualitetit shqiptar. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ambasadori Lu u pyet për pagesën në Rrugën e Kombit dhe protestën e qytetarëve të Kukësit.

Diplomati amerikan theksoi se të gjithë qytetarët kanë të drejtën të protestojnë, por jo të qëllojnë me gurë policinë dhe të shkatërrojnë e djegin kabinat e pagesës. Po kështu, ambasadori Lu theksoi se as forcat e policisë nuk duhet që të dhunojnë qytetarët dhe as të bëjnë arrestime masive në mes të natës, sikurse ndodhi në Kukës disa orë pas protestës së dhunshme.

Blendi Fevziu: Dua t’ju pyes për vendimin e qeverisë për të dhënë me koncesion autostradën midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe për të pasur një tarifë toll prej 5 Euro për një drejtim për njerëzit, përfshi popullsinë në Kukës. Disa prej tyre, sipas Kryebashkiakut të Kukësit, janë 42% me ndihmë ekonomike, marrin 36 dollarë në muaj dhe duhet të paguajnë 12 dollarë për të dërguar një nxënës në shkollën e mesme të Kukësit apo për të shkuar në spital. Ç’mendim keni për këtë vendim?

Ambasadori Lu:

Në Shqipëri, të gjithë qytetarët kanë të drejtën të protestojnë paqësisht, përfshi në Kukës. Dhe e kuptoj njerëzit në Kukës janë të inatosur. Nuk kanë të drejtë të shkojnë të djegin kabinat e toll-eve, nuk kanë të drejtë të gjuajnë me gurë policinë. Në të njëjtën kohë, policia nuk ka të drejtë të lëndojë protestuesit apo të kapin njerëzit për arrestime masive në mes të natës. I kam bërë thirrje Kryeministrit dhe kreut të opozitës që tani të tregojnë vetëpërmbajtje, që secili të ruajnë qetësinë dhe që kjo të zgjidhet me anë të dialogut.

Blendi Fevziu: Ambasador, këta njerëz mendojnë se qeveria iu shërben më shumë pesë a gjashtë të pasurve. Disa përdorin termin ‘oligarkë’ por unë nuk dua ta përdor sepse mendoj se nuk është real, që qeveria nuk i shërben popullsisë së vendit.

Ambasadori Lu:

Rruga u ndërtua shumë kohë përpara se të vija në Shqipëri. Kam lexuar një pjesë të historisë për të, edhe historinë e ndërlikuar të koncesionit. Të jem i sinqertë, shumica e kësaj nuk përbën shqetësim për qeverinë e SHBA apo për mua. Ajo që më shqetëson është dhuna e mundshme. Prandaj më lejoni të bëj thirrje përsëri që protestuesit të jenë paqësorë, që qeveria dhe policia të qëndrojnë paqësorë, kjo është përparësia numër një për qeverinë e SHBA këtu.

Blendi Fevziu: Por reagimi i opozitës në vend, Ambasador, PD dhe LSI, kanë bërë thirrje për mosbindje civile. Nuk është hera e parë në fakt, edhe në 2016 bënë thirrje për një protestë të tillë. Çfarë mendoni për këtë vendim të opozitës?

Ambasadori Lu:

Në çdo demokraci, njerëzit duhet të ngrenë zërin. Po ashtu, kanë të drejtë që në mënyrë paqësore të mos lejojnë qeverinë e tyre të kryejë abuzime, por duhet ta bëjnë këtë paqësisht. Nëse do të bllokojnë rrugë, të mos paguajnë taksa, apo të bëjnë veprimtari të tjera të jashtëligjshme, duhet të jenë të përgatitur për pasojat ligjore. Shtetet e Bashkuara kanë një traditë të gjatë me mosbindjen civile, por ata persona, ata protestues kanë qenë të përgatitur të shkojnë në burg për bindjet e tyre.

Blendi Fevziu: Opozita mendon se qeveria nuk dëgjon për asgjë. Gjërat që kërkojnë ata janë gjëra që kërkojnë njerëzit. Çfarë mendoni në këtë rast? Sepse kemi një përplasje të madhe për këtë: opozita thotë se qeveria nuk reagon ndaj kërkesave të njerëzve dhe qeveria thotë se opozita po përdor disa probleme lokale për të luftuar qeverinë.

Ambasadori Lu:

Kam parë që Edi Rama ka bërë thirrje për dialog në këtë rast. E mbështes këtë. E mbështes zgjidhjen e kësaj çështjeje me dialog. Opozita ka thënë s’ka dialog nëse nuk lironi njerëzit nga burgu. Epo, të shohim nëse do ndodhë kjo. Mendoj se tani ka një çështje ligjore kundër personave që dogjën kabinat e toll-eve. Nuk e di nëse Edi Rama mund që thjesht t’i thotë gjykatës të lirojë njerëzit nga burgu.

/tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi