Specialistët Kundër Narkotikëve kanë vënë në pranga dy persona në Pikën Kufitare të Kakavijës, pasi u kapën me 8.7 kg lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se të arrestuarit janë 47 – vjeçari Andrea Shyti, banues Berat dhe 52 – vjeçari, Kastriot Shehaj, banues në Tiranë, të dy shoferë autobusi.

Ishte Policia Kufitare që evidentoi drogën gjatë kontrollit në vijën e dytë, të cilën dy të arrestuarit po përpiqeshin ta kalonin me anë të autobusit të linjës Tiranë – Athinë, me targa TR 0844 S.

Autoritetet kufitare kanë bërë menjëherë bllokimin e mjetit dhe kanë njoftuar grupin hetimor si dhe Specialistët për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, në dhomat e ajrimit u gjetën të fshehura 3 pako të mbështjella me natriban, si dhe një çantë  e zezë, brenda të cilës u gjetën 5 pako të mbështjella me natriban, me lëndë të dyshuar narkotike, e llojit kanabis sativa, me peshë totale 8.7 kg .

Këto pako sëbashku me autobusin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Mbi dy të ndaluarit rëndon akuza e veprës penale të “trafikimit të narkotikëve e kryer në bashkëpunim”. /tvklan.al