Shkon në 89 numri i atyre që janë vendosur në pranga

Policia e Tiranës vijon me arrestimin dhe procedimin e protestuesve. Në pranga është vënë 1 pjesëmarrës në protestën e së shtunës pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet kanabis. Është arrestuar edhe një prej të rinjve që protestuan më 9 Dhjetor, i cili ishte sërish pjesëmarrës në tubimin e një dite më parë.

Policia e Tiranës ka proceduar edhe 18 persona të tjerë për tubim të paligjshëm. Në total numri i të arrestuarve për protesta të paligjshme në Tiranë, ka shkuar në 89.

Shumica prej të ndaluarve janë të mitur ose të moshës deri në 20 vjeç. Numri i lartë i të shoqëruarve dhe arrestuarve, ka bërë që të gjitha komisariatet e Tiranës të mos kenë vende të lira.

Nga protesta e ditës së shtunë një oficer policie mbeti i plagosur pasi një kapsollë i shpërtheu pranë syrit.

Ndërkohë para gjykatës kanë dalë 17 personat e arrestuar më datën 10 Dhjetor.

Gjykata ka lënë në qeli 3 prej tyre, 5 në arrest shtëpie dhe 9 në detyrim paraqitje. Nga 9 të liruar 3 ishin të mitur.

Tv Klan