Teksa ishte në një takim me një përfaqësi italianësh në Vlorë, kryeministri Edi Rama është ndalur të flasë edhe për vizionin që qeveria e tij ka për këtë qytet bregdetar.

Sipas tij, Vlora ka bërë hapa të jashtëzakonshëm megjithatë mëshoi në dy pika që duhen bërë në të ardhmen. Kreu i qeverisë u shpreh se duhet hapur aeroporti dhe porti turistik. Ky i fundit për Ramën do t’i japë shtysën përfundimtare ndryshimit që ka marrë qyteti i Vlorës.

“Jam shumë i kënaqur për të folur për vizionin besoj se Vlora, edhe Shqipëria por këtu po flasim për Vlorën ka bërë hapa të jashtëzakonshëm që nuk mund të përfytyroheshin as 7 vjet më parë. Duhet të arrijmë të hapim aeroportin, duhet të hapim portin turistik, që do i japë një shtytje të madhe, të fundit të gjithë këtij ndryshimi. Me portin turistik i gjithë niveli i të ardhurave nga pikëpamja financiare do të ndryshoje. I gjithë zinxhiri i vlerave do të ndryshojë. Sigurisht më pas edhe zhvendosja e portit aktual të mallrave më këtej në triport me sistemimin e portit të peshkatarëve do të krijojnë një kuadër të ri të funksionit dhe të impaktit të portave të Vlorës qoftë nga deti qoftë nga ajri dhe do të krijojnë mundësi të reja për të zgjeruar hapësirën për investimet dhe shërbimet. Për diçka që ka një qytet në fund të fundit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se kjo qeveri ka ndërtuar bazat, megjithatë nuk u shpreh i kënaqur me ato që janë arritur. Sipas tij ka akoma vështirësi dhe sfida për t’u përmbushur.  

“E ardhmja është jo vetëm mjaft tërheqëse, por e rëndësishme është që është në duart tona. Është një e ardhme që mund të kapet sepse kemi krijuar bazën. Nuk dua të krijoj që jam i kënaqur. Nuk jam i kënaqur ka një mal për tu ngjitur në çdo strukturë”, tha Rama./tvklan.al