Në një raportim live gazetarja e Klan News, Blerta Dalloshi Berisha ka dhënë më tepër detaje rreth vizitë tre ditore të Miroslav Lajçak në Prishtinë. E pyetur nga gazetari nëse pritet një takim mes të dërguarit nga Bashkimi Evropian me kryeministrin e Kosovës dhe të atë Serbisë, Blerta Dalloshi Berisha ka thënë se nëse një vizitë e tillë do të ndodhte, do të realizohej në Bruksel.

“Në rast se do të ketë një takim të nivelit të lartë ai do të zhvillohet në Bruksel dhe gjasat janë të pakta, për të mos thënë zero që të ndodhë në këto dy vende, në Kosovë apo në Serbi një takim mes Kurtit dhe Vuçiç. Megjithatë Lajçak pas takimit që pati dje me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar takimin më tej me liderët e opozitës si dhe ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi”.

Gazetarja ka raportuar se njoftimet për takimet janë bërë kryesisht në rrjetet sociale qoftë nga vetë Lajçak apo edhe nga krerët e partive opozitare që kanë njoftuar për takimet që kanë zhvilluar duke qenë se nuk ka pasur njoftime paraprake për mediat. Më tej gazetarja ka treguar rreth takimit të Miroslav Lajçak me kryetarin e Partisë Demokratike Memli Krasniqi.

“Me kreun e Partisë Demokratike Memli Krasniqi kanë diskutuar për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe Partia Demokratike e Kosovës thotë se është e palëkundur në qëndrimet e saj dhe do të luaj rolin e saj konstruktiv si parti opozitare në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Qëndrimi i Partisë Demokratike është përmbyllja e bisedimeve, arritja e një marrëveshje finale me njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve dhe sigurisht që do të luaj rolin konstruktiv të saj në këtë proces”.

Mes të tjerave gazetarja ka thënë se pritet që Lajçak të vizitojë veriun e vendit. Gjithashtu ai ka vizituar edhe muzeun ku janë vendosur rrobat e personave të vrarë apo të zhdukur gjatë luftës. Atje ai ka përmendur edhe faktin se i duhet dhënë zgjidhje çështjes së njerëzve të humbur, për fatin e të cilëve familjarët ende nuk dinë asgjë./tvklan.al