Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se kongresmeni demokrat Jeff Van Drew i është bashkuar Partisë Republikane. Ky kalim vjen pasi demokrati Van Drew votoi kundër hetimit për Presidentin Trump në Dhomën e Përfaqësuesve. Përpara votimit për hetimin e Presidentit të iniciuar nga demokratët, Jeff Van Drew u ul me republikanët.

Kongresmeni Van Drew u prit në takim në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Trump dhe zv/Presidenti Mike Pence.

“Ishin shumë të sjellshëm dhe shumë mbështetës”, tha Kongresmeni për pritjen që i organizuan republikanët.

Duke folur pas takimit, Kongresmeni Jeff Van Drew u shpreh se shanset që Presidenti Trump të fitojë një mandat të dytë janë më të larta. Ai njoftoi se do të mbështesë Donald Trump në fushatë.

Por, analistët politikë thonë se Kongresmeni i New Jersey do ta humbasë mandatin në zgjedhjet e vitit 2020. Sipas tyre, Van Drew ka votuar kundër Donald Trump pothuajse në shumicën e rasteve.

Kjo do të thotë që në këto zgjedhje, ai hyn i përbuzur nga demokratët, mosbesues nga republikanët dhe pa përkrahje nga të pavarurit për faktin se kalimin e tij nga demokratët tek republikanët do ta perceptojnë si lëvizje për përfitime politike.

Një ditë më parë, Dhoma e Ulët e Kongresit Amerikan miratoi nisjen e hetimit penal për Presidentin, Donald Trump. Demokratët, që kanë shumicën në këtë dhomë, miratuan dy akuzat.

E para, ajo për abuzim me detyrën, në të cilën thuhet se Trump i ka bërë presion Ukrainës që të hetojë Joe Biden, rivalin më të mundshëm demokrat në presidencialet 2020, për të dobësuar figurën e tij në para zgjedhjeve.

Dhe akuza e dytë, ajo për refuzim të bashkëpunimit me hetimin dhe pengim të vartësve për të bashkëpunuar u miratua sipas ndarjes partiake. /tvklan.al