Ervin Shahini, 50-vjeçari i dënuar me burgim të përjetshëm në vendin tonë, është ekstraduar në Shqipëri nga Koreja e Jugut.

50-vjeçari që përdor edhe identitetin tjetër Spartak Lazaj, është shpallur fajtor me vendim të formës së prerë për veprat penale vjedhje me dhunë me pasojë vdekjen, vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim dhe largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit.

Në vitin 1995, Ervin Shahini ka vrarë dhe ka plagosur me thikë disa taksistë. Pasi i faturonte si taksi për të shkuar në destinacionet e kërkuara, 50-vjeçari i godiste me thikë drejtuesit e automjeteve, iu merrte makinat dhe largohej nga vendi i ngjarjes.

Të njëjtin mekanizëm ka përdorur në të gjitha ngjarjet, konkretisht:

-më datë 15.05.1995, në bashkëpunim me shtetasit A. M. dhe N. K., plagosi me thikë shtetasit P. B. dhe A. A.;

-më datë 10.07.1995, plagosi me thikë shtetasin S. H.;

-më datë 27.08.1995, vrau shtetasin Xh. A.;

-më datë 27.10.1995, plagosi me thikë shtetasin I. I.;

Gjatë trazirave të muajit mars të vitit 1997, Shahini u arratis dhe u largua ilegalisht nga Shqipëria.

Drejtoria e Interpolit, që prej vitit 2015, ka shkëmbyer korrespondenca të shumëfishta me zyrat homologe dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim lokalizimin dhe më pas arrestimin provizor të këtij shtetasi, për ta ekstraduar në vendin tonë.

Së fundi, është siguruar informacion se 50-vjeçari strehohej në Republikën e Koresë së Jugut. Nga informacionet dhe verifikimet rezultoi se Ervin Shahini përdorte identitetin e një shtetasi tjetër shqiptar, për t’iu shmangur arrestimit.

Në kuadër të operacionit “INFRA ATLAS” dhe si rezultat i shkëmbimit të inteligjencës policore, ndërmjet Drejtorisë së Interpolit, Interpol Seulit dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit (Sektori Fugitives Investigative Support (FIS)), u finalizua operacioni policor i koduar “Suporti”, gjatë të cilit u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit Ervin Shahini 50 vjeç dhe në kuadër të operacionit “Suporti”,  ky shtetas u ekstradua drejt vendit tonë.

Ekstradimin e tij në Shqipëri e ka përshëndetur dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.

“GODITJA E PANDËSHKUESHMËRISË! Po punojmë çdo ditë, me intensitet, me Interpol për gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj personave që fshihen në vende të tjera apo në Shqipëri. Përgëzime Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Interpol Tirana dhe Seulit si dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit (Sektori Fugitives Investigative Support (FIS)), për bashkëpunimin, koordinimin dhe finalizimin me sukses të ndalimit dhe ekstradimit të një shtetasi të dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda kundër personit”, shprehet ministri Balla në një postim në rrjetet sociale.

/tvklan.al