Ervin Shahini, është shqiptari i parë që ekstradohet nga Koreja e Jugut. 50-vjeçari i cili në këtë shtet jetonte prej vitesh me emrin Spartak Lazaj, i fshihej drejtësisë shqiptare, që e ka dënuar me burg përjetë.

Shahini është shpallur fajtor në mungesë nga Gjykata e Apelit të Tiranës për disa vepra penale të rëndë. 50-vjeçari në kohë të ndryshme të vitit 1995, duke përdorur armë të ftohta thika, ka lënë të vdekur një person dhe ka plagosur katër të tjerë të cilët punonin si taksistë.

Pasi i faturonte si taksi, për të shkuar në destinacionet e kërkuara, Shahini i godiste drejtuesit e automjeteve, me thikë, iu merrte makinat dhe largohej nga vendi i ngjarjes.

Më pas, gjatë trazirave të muajit mars të vitit 1997, ky 50-vjeçari është arratisur dhe është larguar në mënyrë të kundërligjshme, jashtë Shqipërisë. Prej asaj kohe deri në vitin 2015 nuk ka patur të dhëna për vendndodhjen e tij. Në 2015 u sigurua informacion dhe drejtoria e Interpolit ka shkëmbyer informacione me zyrat homologe për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Shahini u arrestua më 26 Janar të këtij viti në Koren e Jugut. Ai jetonte në një lagje në afërsi të qendrës së Seulit, dhe përdorte emrin Spartak Lazaj, dokumente të cilat i kishte falsifikuar.

Ekstradimi i tij u përshëndet nga ministri i Brendshëm Taulant Balla. Në rrjetet sociale ai shkruan se autoritetet po punojnë çdo ditë me intensitet me Interpol për gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj personave që fshihen në vende të tjera apo në Shqipëri.

Klan News