Akuza gjyqtarit, prokurorëve dhe mjekëve për lirimin e Elton Metajt

Nëna e Sabrina Bengaj tregoi se vajza e saj ishte duke ngrënë darkë kur u vra nga ish-bashkëshorti Elton Metaj. Me lot në sy ajo tha se kur 31-vjeçari hyri në shtëpinë e tyre me një Kallashnikov në dorë, vajza e saj i doli përballë për t’i thënë që nuk kishte punë me familjen e saj.

“Vajzën e prita, erdhi brenda. Më tregoi se çfarë kishte bërë, u ul po hante bukë, ishte me bukë në gojë, ndërsa unë do vazhdoja punët sepse vet punoja, s’kisha kohë. Sa e pashë që po hapej dera, se po prisja djalin, nuk ishte këtu, kur hapi derën. Thashë mos do të jetë Eltoni, ishte me kallash. Vura kujën dhe me qetësinë time iu afrova e i thashë: Të lutem para 10 muajsh ishe në burg, të lutem pa të parë njeri merre armën dhe kthehu. Mos më bëj terror në shtëpi, sepse e ke bërë njëherë”. “Ku është ajo?” më tha mua. Vajzën tjetër e kisha në dhomën, nusen në dhomën tjetër. Del ajo ndërkohë dhe vajza më pyet se çfarë po ndodhte. Doli me pjatë në dorë, i vuri automatikun. Doli nusja nga dhoma dhe i tha, mos e godit atë se është shtatzënë. Aty po dilte vajza tjetër dhe i kërkova të largohej sepse mund të na vriste të gjithëve. Na kërkoi çunin. Aty vajza i tha hajde se nuk ke punë me këta, por me mua. Na ktheu kurrizin çupa e goditi nëpër shkallë”.

Ndërkohë babai i Sabrinës fajësoi për krimin gjyqtarët, prokurorët dhe mjekët që lanë të lirë Elton Metajn me vetëm 8 muaj burg, pasi ky kishte terrorizuar edhe më parë familjen Bengaj. Çifti ishte ndarë rreth një vit më parë dhe kishin një fëmijë, por Elton Metaj nuk e kishte pranuar largimin nga shtëpia të ish-bashkëshortes së tij. Dy muaj pasi doli nga burgu ai e qëlloi për vdekje atë dhe u arrestua pak orë pas vrasjes.

Tv Klan