3 të rinj janë shpallur në kërkim për vrasjen e 2-fishtë të mbrëmjes së të dielës në Laç. Policia e Lezhës ka dhënë detaje mbi ekzekutimin e dy kushërinjve të parë Mikel Jushi, 35 vjeç, dhe Jani Jushi, 30 vjeç. Sipas burimeve zyrtare në krim janë përfshirë Markel Bushi 25 vjeç, vëllai i tij, Manuel Bushi 23 vjeç  dhe Vinçesk Bushi 28 vjeç të tre nga Kurbini. Të rinjtë u dërguan me urgjencë drejt një spitali privat në Tiranë, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë.

Policia ka gjetur dhjetëra gëzhojë në vendngjarje. Në njoftimin e uniformave blu thuhet se motivi i vrasjes ka qenë një konflikti i çastit mes 5 personave. Për zbardhjen e rrethanave të krimit, policia shoqëroi 23 persona në cilësinë e dëshmitarit, apo që kanë dijeni për vrasjet. Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot –Lezhë dhe Milot -Kurbin -Tiranë.

Në operacion janë përfshirë edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të cilat kanë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët. Është një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Kurbin që po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Për 3 personat e shpallur në kërkim rëndon akuza e “Vrasjes në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe armëmbajtje pa leje.

Tv  Klan